Raportimi i IndeksOnline/ Prokuroria e Gjilanit ngre aktakuzë ndaj Entela Hysenit dhe Salih Kqikut

IndeksOnline ka raportuar më herët për rastin që lidhet me ankesat e Valon Salihut, pronarit të disa lokaleve në lagjen “Fidanishtja” në Gjilan, i cili është përballur me vështirësi në shfrytëzimin e tyre për shkak të një muri të ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Së fundmi, Prokuroria Themelore e Gjilanit, Departamenti për krime të rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Entela Hysenit dhe Salih Kqikut për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Entela Hyseni, në cilësinë e drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, nga data 02.07.2024, nuk ka përmbushur detyrimet e saj ligjore. Ajo dyshohet se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Valon Salihut për ekzekutimin e aktvendimit për rrënim, ka refuzuar të veprojë, duke e bërë atë përgjegjëse për shkeljen ligjore.
Ndërkohë, i akuzuari Salih Kqiku, më datën 11.10.2023, në cilësinë e personit zyrtar, akuzohet se me mosveprim ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Ai dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrimet e tij me qëllim përfitimi personal ose për t’i sjellë dobi një pale tjetër.
IndeksOnline ka raportuar disa herë për këtë çështje dhe ka realizuar intervista me palën e dëmtuar.
Madje, ne kemi kërkuar sqarime edhe nga drejtoresha Hyseni, e cila, siç raportuam më parë, ka refuzuar të takohet me ne, duke u mbyllur në zyrën e saj.
Procesi tashmë ka kaluar në fazën gjyqësore dhe pritet të shihet se si do të zhvillohet më tej.
IndeksOnline do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë çështje dhe të sjellë informacione të reja për publikun./IndeksOnline/