75 Mall Live Search
14:33 / E Mërkurë, 26 Mars 2025 / H F

Vrasjet e ditëve të fundit në Kosovë, Haradinaj fajëson Kurtin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me vrasjet e fundit në vend.

“Kjo sjellje në masë është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët të parët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori, duke i “trimëruar” kriminelët të të gjitha natyrave përmes amnistimit të sjelljes kriminale të shefit të shtetit. Ky është efekti zinxhiror i sjelljes banditeske nga i pari; Kosovën po e kthen në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit.”, ka shkruar ai në reagimin e tij, transmeton IndeksOnline.

Reagimi i tij i plot:

Është shqetësues niveli i vrasjeve kohët e fundit në Kosovë-katër në vetëm dy ditë. As edhe një nuk do duhej të ndodhte në Kosovën e lirë. Kemi humbur shumë jetë në luftë për të mos humbur as edhe një në paqe. Dora e shtetit duhet të ndihet, para së gjithash, në sigurimin e rendit dhe qetësisë. Kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është Kosova që duam.

Kjo sjellje në masë është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët të parët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori, duke i “trimëruar” kriminelët të të gjitha natyrave përmes amnistimit të sjelljes kriminale të shefit të shtetit. Ky është efekti zinxhiror i sjelljes banditeske nga i pari; Kosovën po e kthen në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit.

Siguria e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti numër një, dhe shembulli duhet të vijë nga ata që kanë institucionet në duar.

Ngushëllime familjarëve të viktimave, ngushëllime qytetarëve tanë.