75 Mall Live Search
11:28 / E Enjte, 27 Mars 2025 / L K

Haradinaj-Stublla thotë se njohja nga Kenia erdhi si rezultat i unitetit e bashkëpunimit

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla e ka quajtur njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Kenia si rezultat i unitetit dhe bashkëpunimit.

Ish-kryediplomatja ka bërë thirrje që Kosova të ketë uniteti gjithëpërfshirës në dialog dhe politikë të jashtme.

“Njohja nga Kenia erdhi në një moment të vlefshëm ndërkombëtar për Kosovën.
Teksti i letrës së njohjes është unik në përmbajtje dhe i saktë në referencim të argumenteve ligjore e politike që Serbia vazhdimisht i kundërshton – argumente që e bëjnë Kosovën kjo që është tashmë 17 vjet shtet i pavarur dhe sovran.
Një përmbajtje e tillë faktike e kronologjike s’do mend që është brumosur nga presidentja Osmani – e cila e takoi presidentin Ruto shumë herë në nivel bilateral, në shumë takime në margjina të organizimeve multilaterale, e pa dyshim – nota e njohjes konfirmon që janë shkëmbyer po ashtu edhe dhjetëra dokumente e analiza si plotësimi i kritereve të shtetësisë sipas Konventës së Montevideos (paragrafi i dytë), numri i njohjeve të deritanishme (paragrafi i tretë), rëndësia e opinionit të GJND-së (paragrafi i katërt), Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së menjëherë pas vendimit të GJND-së (paragrafi i pestë), dhe ecuria e procesit të dialogut me Serbinë (paragrafi i shtatë). Po ashtu, nga informatat që posedoj, Presidentja Osmani ka biseduar për njohjen nga Kenia edhe me SHBA-në në një sërë rastesh, e po ashtu presidenti Ruto ka relacione të shkëlqyeshme me SHBA-në (gjë që e konfirmon dhe mund të jetë indikative edhe telefonata e tij me sekretarin Rubio e publikuar në Twitter vetëm një ditë para njohjes). E gjithë kjo, u kurorëzua me dorëzimin ceremonial të letrës së njohjes tek ish- presidenti dhe ish- MPJ-së Pacolli – që Ministria e Jashtme e Kenias në njoftimin zyrtar të saj iu referua si “I deleguari i posaçëm i presidentes Vjosa Osmani.”
Edhe njëherë e përsëris se Kosova do të ecë përpara e forcohet vetëm me UNITET e BASHKËVEPRIM gjithëpërfshirës politik në dialog e në politikë të jashtme. Njohja nga Kenya na e konfirmoi këtë – se nuk ka rëndësi a jemi në pushtet, në opozitë, apo tërësisht jashtë skenës politike – kontributi për Kosovën dhe interesin shtetëror të saj duhet të na bashkojë përgjithmonë.
Tani – varet nga ne që ta avancojmë këtë momentum të ri për Kosovën, e të mos lejojmë që Serbia ta keqpërdorë për të rindezë luftën ilegale me të ashtuquajtura “çnjohje” shkruan Haradinaj-Stublla në reagim./Indeksonline/