75 Mall Live Search
11:42 / E Enjte, 27 Mars 2025 / k.v

Arrestimi i Gëzim Pulajt, | gjykata zbardh detaje për grabitjen e marketit në Nashec, tre vjet pas ngjarjes

Policia e Kosovës ka vënë nën pranga Gëzim Pulajn, i dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim për grabitje dhe vjedhë të rëndë të ndodhur në një market në Nashec të Prizrenit. Gjykata Themelore e Prizrenit kishte urdhëruar arrestimin e të dënuarit Gëzim Pulaj, i cili nuk ishte paraqitur vullnetarisht për vuajtjen e dënimit. Ai është kapur të mërkurën nga policia në Prizren dhe do të dërgohet në institucionin korrektues për të ekzekutuar dënimin e shqiptuar ndaj tij, transmeton IndeksOnline. 

Sipas aktgjykimit PKR.nr.127/2022, Pulaj ishte shpallur fajtor më 5 shtator 2022 nga Departamenti për krime të rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit për veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje, bazuar në nenin 329, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit penal të Republikës së Kosovës. 

Gzim Pulajt, i ishte shqiptuar dënimi prej 3 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë prej 2.000 eurosh. 

Nga provat e administruara në gjykim, rezulton se më 12 qershor 2022, rreth orës 23:30, në fshatin Nashec të Prizrenit, Gëzim Pulaj, në bashkëkryerje me dy persona të tjerë, kishte hyrë në një market me qëllim grabitjeje.

I armatosur me një thikë, ai kishte kërcënuar punëtorin e marketit dhe kishte detyruar atë t’i dorëzonte shumën prej 600 euro nga arka e pagesave.

Pas kryerjes së aktit, të akuzuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë të zezë, por më pas ishin identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës. 

Meqenëse Gëzim Pulaj nuk kishte respektuar ftesën e gjykatës për t’u paraqitur për vuajtje të dënimit, autoritetet kanë ekzekutuar urdhër-arrestin dhe ai tashmë është në pritje të transferimit në qendrën e vuajtjes së dënimit./IndeksOnline/