ZRRE-ja: Ende nuk është marrë vendim për shtrenjtim të energjisë, vërejtjet mund të bëhen edhe sot

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka theksuar se ende nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë.
ZRRE në një postim në Facebook shkruan se me qëllim që të sigurohet transparencë dhe të krijohet mundësia e një dialogu të hapur nga të gjitha palët e interesuara, ZRRE-ja ka vendosur të ndajë për konsultim publik Raportin Konsultativ për të Hyrat e Lejuara Maksimale.
“Në kuadër të përpjekjeve për të garantuar një proces të hapur dhe transparent, ZRRE-ja fton të gjitha palët e interesuara – përfshirë konsumatorët, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, që të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre mbi raportin e publikuar deri më 28 mars. Ky proces është një mundësi për të siguruar që çdo vendim të marrë të bazohet në mendime të shumta dhe të ndihmojë në krijimin e një sistemi të drejtë dhe të balancuar për të gjithë”, bëhet e ditur në njoftim.
Më tej, në postim thuhet se ZRRE-ja është e angazhuar për të siguruar informacion të plotë, të saktë dhe të qartë dhe për të mbajtur një komunikim të hapur dhe të vazhdueshëm me publikun për çdo zhvillim që mund të ndikojë në tarifat e energjisë.
Ndërkaq, ditë më parë kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka arsyetuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%. Ai thënë se kjo rritje është bërë 100% duke u bazuar në inflacionin global.
Sipas tij, edhe pse ka pasur rritje të çmimit të energjisë në tri vitet e fundit, Kosova ende mbetet në fund të listës së vendeve me çmimin më të lirë të energjisë elektrike.
Ai po ashtu kishte thënë se kërkesat e kompanive për furnizim me energji elektrike ishin që çmimi të rritej për 35%, por pas konsultimeve u propozua që çmimi të rritet për 15%.
Ndryshe, në ZRRE merr vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nga muaji i ardhshëm, faturat e energjisë elektrike pritet t’u vijnë më të shtrenjta qytetarëve.
Propozimi po kundërshtohet nga qytetarët, të cilët kanë paralajmëruar edhe protesta.