75 Mall Live Search
22:09 / E Enjte, 03 Prill 2025 / H F

Vdekja tragjike e Visar Muriqit, biznesmeni Jusaj para trupit gjykues: Nuk jam fajtor … (Video)

Në Gjykatën Themelore në Pejë, sot është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar për rastin e Visar Muriqit.

45 vjeçari, Muriqi pati ndërruar jetë si pasojë e një shpërthimi të një autocisterne në “Delta Group” Sh.P.K, në Pejë.

I pandehuri, Vesel Jusaj i cili është ftuar nga gjykata në cilësinë e pronarit të kompanisë “Delta Group”, është deklaruar i pafajshëm përballë trupit gjykues.

“Nuk jam fajtor për veprat penale të cilat më vihen në barrë”, ka deklaruar biznesmeni Jusaj, në kompaninë e të cilit tashmë i ndjeri Muriqi ndërroi jetë tragjikisht.

Gjatë seancës së sotme është ftuar për deklarim edhe Vase Jusaj- përfaqësuesja e të pandehurit, personit juridik.

“Në emër të personit juridik “Delta Group”, Sh.P.K deklarojë se nuk pranohet fajësia për veprat penale që e ngarkon aktakuza”, vlerësoi ajo, transmeton IndeksOnline.

I ndjeri, më 11 tetor të vitit të kaluar ishte kontaktuar nga një bashkëvendës që në një pompë derivatesh, të bënte shndërrimin e bombolës së gazit në mënyrë që e njëjta të përdorej për derivate të tjera.

Pa e ditur se ajo do të jetë dita e fundit e jetës së tij, Visari e pranoi këtu punë për hiç më shumë se 30 euro.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Pejë po vazhdon hetimet ndaj pronarit të pompës “Delta Group”, Vesel Jusajt./IndeksOnline/