75 Mall Live Search
12:31 / E Premte, 04 Prill 2025 / Z S

Osmani takohet me mbretin e Jordanisë dhe homologun bullgar në takimin e Aqaba-s në Sofje

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është takuar me mbretin Abdullahu II të Jordanisë dhe homologun bullgar, Rumen Radev. Ky takim është vazhda e takimeve në Aqaba të Sofjes.

Osmani përmes një postimi në Facebook shkroi se ky takim ka qenë për ta nxitur bashkëpunimin, dialogun dhe stabilitetin rajonal.

“Me mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në takimin e Aqabas në Sofje, për ta nxitur bashkëpunimin, dialogun dhe stabilitetin rajonal”, ka shkruar Osmanil.

Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bullgari, ku do ta përfaqësojë Kosovën në procesin Aqaba për Ballkanin III.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të mbretit të Jordanisë, Abdullahu II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, ka udhëtuar për në Bullgari, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës krahas liderëve të tjerë në takimin e nivelit të lartë të procesit Aqaba për Ballkanin III, i cili do të mbahet në Sofje”.

Osmani do të mbajë fjalim në hapje të samitit dhe do të zhvillojë takime të ndara bilaterale.

“Në kuadër të vizitës në Sofje, presidentja Osmani do të mbajë fjalim në hapje të samitit si dhe do zhvillojë takime të ndara bilaterale me disa nga liderët pjesëmarrëse. Gjatë këtyre takimeve, do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale, avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.”

“Ky takim organizohet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Procesi Aqaba, i iniciuar nga mbreti Abdullahu II i Jordanisë në vitin 2015, ka luajtur një rol kyç në koordinimin e përpjekjeve globale kundër terrorizmit dhe adresimin e sfidave të sigurisë.”

Zyra e presidencës thotë se Osmani do të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për sigurinë rajonale dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të saj të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike.

“Presidentja Osmani do të theksojë angazhimin e suksesshëm të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si edhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët strategjikë. Në këtë kuadër, ajo do të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për sigurinë rajonale dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të saj të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike.”./Indeksonline/