75 Mall Live Search
13:43 / E Martë, 08 Prill 2025 / k.v

IPK arreston një zyrtar policor dhe rekomandon suspendimin e dy të tjerëve në raste të ndryshme

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka ndërmarrë sot veprime konkrete ndaj tre zyrtarëve policorë, duke arrestuar një prej tyre dhe duke rekomanduar suspendimin e dy të tjerëve në raste të ndara që lidhen me dyshime për sjellje të pahijshme dhe vepra penale.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i një zyrtari policor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas raportimit për një incident me armë zjarri në një lokal në fshatin Bukosh të Vushtrrisë. I dyshuari, që ndodhej jashtë detyrës zyrtare, akuzohet për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. IPK, pas zhvillimit të veprimeve hetimore, ka arrestuar të dyshuarin dhe, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkohë, në një rast tjetër të ndodhur në Kaçanik, një zyrtar policor dyshohet për veprën penale “kanosje” (neni 181 i KPRK-së), ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur brenda objektit të stacionit policor. Në këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e tij për të mundësuar zhvillimin e hetimeve.

Rasti i tretë ka të bëjë me një zyrtar tjetër në stacionin policor të Ferizajt, i cili dyshohet për “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Pas konsultimeve me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, është rekomanduar suspendimi i tij për të garantuar një hetim të pavarur dhe të paanshëm.

“IPK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e standardeve të larta profesionale, respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe fuqizimin e llogaridhënies brenda Policisë së Kosovës,” thuhet në njoftim.