75 Mall Live Search
18:02 / E Martë, 08 Prill 2025 / H F

Flet burri që raportoi gruan për keqtrajtimin e fëmijëve: E kam lënë punën për tu përkujdesur për ta


Valon Berisha, banor i fshatit Ballofc në Komunën e Podujevës, ka raportuar para disa ditësh në polici bashkëshorten e tij, Miradije Berishën, për sjellje të papërshtatshme ndaj katër fëmijëve të tyre të mitur.

Sipas tij, ai në polici raportoi se nëna e fëmijëve të tij kishte “pickuar” fëmijët dhe nuk kishte tentuar ngulfatjen.

Porse nga frika se mund të ndodhte më e keqja e kishte raportuar.

Miradije Berisha, e cila vetëm tre javë më parë ka sjellë në jetë fëmijën e pestë, aktualisht po trajtohet në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Çifti kishte përjetuar një tragjedi familjare në vitin 2022, kur iu kishte vdekur një foshnjë. Ky rast besohet të ketë ndikuar ndjeshëm në gjendjen emocionale dhe psikologjike të familjes.

Nga ana e tij, Valon Berisha hedh poshtë pretendimet se ka deklaruar që gruaja e tij ka tentuar t’i ngulfatë fëmijët.

Sipas tij, Gjykata dhe QPS po tentojnë siç thotë ai t’ia “zhdukun” familjen.

“Nuk është e vërtetë që kam thënë se i ka ngulfatur, por se i ka pickuar. Ajo nuk është mirë me shëndet mendor. Kam shkuar ta vizitoj në psikiatri, por nuk më kanë lejuar. Gjykata e Podujevës dhe Qendra për Punë Sociale më kanë zënë në kurth. Janë të njëanshëm. Më akuzojnë se nuk mund të kujdesem për fëmijët. E kam lënë punën për t’u përkushtuar plotësisht atyre – nuk i kam lënë në dorë të askujt,” është shprehur ai në një intervistë për IndeksOnline.

Në lidhje me këtë rast, kanë reaguar edhe zyrtarë nga Qendra për Punë Sociale e Komunës së Podujevës.

“Është një vendim nga viti 2022, ku është kërkuar t’iu merret zotësia prindërore, sepse të dy prindërit janë me depresion. Fëmijët atë vit kanë qenë në strehimore. Kemi kërkuar që të trajtohen në formë klinike,” ka deklaruar drejtoresha e QPS-së në Podujevë, Makfire Zeka.

Sipas saj, lidhur me këtë rast, shumë shpejt pritet të merret një vendim.
/IndeksOnline/