Haradinaj uron Ditën e Kushtetutës së Kosovës, duke kritikuar qeverinë Kurti

Ramush Haradinaj ka uruar për Ditën e Kushtetutës. Në urim kreu i AAK-së nuk kursen kritikat ndaj qeverisë Kurti duke thënë se qeverisja e katër vjetëve të fundit ka shkelur rëndë Kushtetutën.
“Sot, Republika e Kosovës shënon Ditën e Kushtetutës, dokumentin themelor të shtetit, që buron nga lufta çlirimtare dhe nga shpirti liridashës i popullit tonë. Pikërisht nga ky parim është ndërtuar një Kushtetutë moderne, që lartëson të drejtat e njeriut, garanton barazinë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe siguron mbrojtjen e pakicave. Ajo është themeli i demokracisë sonë dhe gardiane e pathyeshme e parimeve të lirisë, drejtësisë dhe rendit kushtetues.
Në katër vjetët e fundit jemi dëshmitarë të një qeverisjeje që në mënyrë të përsëritur ka cenuar dhe shkelur Kushtetutën, qoftë përmes vendimeve arbitrare e antikushtetuese, qoftë përmes mospërfilljes së hapur ndaj saj.
Është i domosdoshem një ndryshim rrënjësor i mentalitetit qeverisës, një kthesë drejt një qeverisjeje që respekton Kushtetutën jo vetëm në letra, por në çdo vendim dhe veprim, që e sheh ligjin si instrument për të shërbyer qytetarëve, e jo për t’i sunduar ata.
“Urime Dita e Kushtetutës”! shkruan Haradinaj në Facebook./Indeksonline/