Policia e Prishtinës realizon rreth 200 urdhëresa gjykate dhe sekuestron armë gjatë javës së kaluar

Policia rajonale e Prishtinës ka vazhduar me intensitet të lartë aktivitetet operacionale dhe hetimore në kuadër të përmbushjes së detyrave ligjore dhe garantimit të sigurisë publike.
Gjatë javës së kaluar, në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara, zyrtarët policorë kanë realizuar gjithsej 199 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 53 lidhen me vepra penale, ndërsa pjesa tjetër me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe urdhëresa tjera, transmeton IndeksOnline.
Sipas policisë, personat e dënuar me burgim efektiv janë dërguar për vuajtjen e dënimit pas përfundimit të procedurave të nevojshme, ndërsa ata të dënuar me gjobë, janë liruar pasi kanë përmbushur detyrimet e përcaktuara në urdhëresat përkatëse.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë. Gjatë të njëjtës periudhë janë sekuestruar pesë armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, përfshirë edhe municion të konsiderueshëm.
Në sferën e sigurisë në komunikacionin rrugor, njësitet përkatëse kanë shqiptuar 4433 gjoba për kundërvajtje dhe shkelje të Kodit rrugor, nga të cilat 826 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.
Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë me aktivitete të tilla me qëllim të forcimit të rendit, sigurisë dhe respektimit të ligjit në të gjithë territorin e rajonit të Prishtinës./IndeksOnline/
