75 Mall Live Search
11:50 / E Hënë, 21 Prill 2025 / mp

Kreu i policisë jep detajet e fundit për aksionin në Kaçanik, ku u arrestuan 7 të dyshuar për vrasjen e rreshterit Lika

Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika, gjatë një aksioni të gjerë policor në mëngjesin e së hënës.

Muhamed Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jetonte, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, thanë gjatë një konference për media se motivet e vrasjes së tij mund të kenë lidhje me “punën e tij si zyrtar policor”.

Ndër të arrestuarit është edhe një ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), thanë ata, pa treguar identitetin e tij.

Hoxha tha se në këtë operacion janë bastisur 9 lokacione, shumica prej tyre në Kaçanik dhe një në një fshat të Klinës.

Gjatë operacionit policor janë arrestuar 7 persona të dyshimtë, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes së rreshterit tonë.

Personat e arrestuar janë në proces të intervistimit nga hetuesit tanë, me autorizim të prokurorit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar: dy vetura, telefona celularë, disa llaptopë, një armë zyrtare me 30 fishekë të kalibrit 9 mm, maska, tyta armësh, kapela sportive, rroba, fishekë, dylbi, si edhe dëshmi të tjera që do të shërbejnë për dokumentimin e rastit të vrasjes së rëndë. Lidhur me këtë operacion, kontrollet janë duke vazhduar ende.

“Në total, rreth 170 zyrtarë kanë marrë pjesë në këtë aksion”, tha Hoxha në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur në Ferizaj.

Ai gjithashtu tha se operacioni ka shkuar shumë mirë dhe nuk ka pasur ndonjë incident apo persona të lënduar.