Ekskluzive: Dy nga të dyshuarit për vrasjen e rreshterit, dikur shfaqeshin bashkë në një videomesazh (Pamje)

IndeksOnline ka siguruar pamje të reja ekskluzive nga grupi që dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, ngjarje që tronditi opinionin publik.
Gjatë aksionit të zhvilluar mëngjesin e së hënës, janë arrestuar shtatë persona, në mesin e të cilëve edhe Rejan Bela, 18-vjeç, i dyshuar si ekzekutori kryesor i rreshterit Lika. Dyshohet se krimi është kryer kur Rejani ishte vetëm 17-vjeç, dhe se gjithçka ishte planifikuar nga një grup i dyshuar ekstremist.
Sipas burimeve të IndeksOnline, organizatori i këtij grupi është vëllai i tij, H. Bela.
Burime të afërta me hetimet konfirmojnë se ndër të arrestuarit ndodhen edhe një ish-polic dhe një ish-ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kishin braktisur detyrat shtetërore për t’iu bashkuar këtij grupi ekstremist.
Në një nga videot e siguruara nga IndeksOnline, Rejan Bela dhe një prej të arrestuarve, ish-ushtari i FSK-së, shfaqen duke mbajtur fjalime me përmbajtje fetare. Në video, ish-ushtari dëgjohet duke thënë: “Allahu në Kuran thotë… O ju besimtarë, kërkoni ndihmë për veten tuaj nëpërmjet durimit dhe namazit…”
Policia ka konfirmuar se të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.
Hetimet po vazhdojnë me intensitet të lartë, ndërsa ky zhvillim i fundit ka hapur një kapitull të ri në zbardhjen e një prej rasteve më të rënda që ka goditur sigurinë publike në Kosovë.
IndeksOnline do të vazhdojë të raportojë me detaje të reja për këtë rast.