75 Mall Live Search
23:36 / E Martë, 22 Prill 2025 / FR

Policia jep detaje rreth aksionit antidrogë në Veternik e Fushë Kosovë, 5 persona u arrestuan

Policia e Kosovës ka thënë detaje rreth aksionit të sotëm në rajonin e Prishtinës, duke bërë të ditur se fillimisht janë arrestuar tre persona dhe janë sekuestruar mbi 2 kilogramë kokainë.

Gjatë këtij aksioni janë konfiskuar edhe një armë zjarri, dy automjete, tre telefona të mençur dhe 4 mijë euro para të gatshme.

“U arrestuan tre persona të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve,

U sekuestruan 2 kg e 643.27 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë (vlera në treg rreth 200,000 euro),

U konfiskuan:Një armë me 35 fishekë,- Dy automjete,- Tre telefona të mençur,- 4000 euro në para të gatshme,- Prova të tjera materiale që lidhen me rastin”, thuhet në njoftim.

Policia gjithashtu ka njoftuar se gjatë operacionit, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë tentuar të largohen me veturën e tyre.

Gjatë kontrollit u është gjetur një armë dhe është konstatuar se automjeti i tyre ishte me dokumentacion të falsifikuar.

“Personat në fjalë nuk kanë ndërlidhje me rastin kryesor, andaj janë proceduar nga patrulla policore e Stacionit Jugu – Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Në vijimësi të hetimeve dhe zhvillimit operacional është kontrolluar edhe banesa e njërit nga të dyshuarit në Fushë Kosovë, ku janë gjetur dhe sekuestruar mbi 2 kilogramë kokainë dhe një armë zjarri.

“Të gjithë të dyshuarve kryesor iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga DHTN – Sektori Qendror në koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.