75 Mall Live Search
09:21 / E Mërkurë, 23 Prill 2025 / k.v

Detaje të reja nga aksioni i antidrogës në Prishtinë, sekuestrohen rreth 5 kg kokainë, armë dhe para të gatshme (Foto)

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me aksionin e zhvilluar dje pasdite në Prishtinë, i cili kishte për qëllim luftimin e trafikimit me narkotikë. Sipas raportit zyrtar të lëshuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, janë arrestuar tre persona dhe janë sekuestruar rreth 5 kilogramë kokainë.

“Gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar: 4 kilogramë e 943.27 gram substancë e dyshuar narkotike – kokainë, dy armë zjarri me 49 fishekë, dy vetura, tre telefona mobilë dhe 4,000 euro para të gatshme”, thuhet në raportin policor.

Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Ky aksion u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në kuadër të një mase të veçantë hetimore. Bastisjet nisën në orën 15:00 në lagjen “Veternik” dhe sipas zëdhënësit të policisë, Daut Hoxha, operacioni është shtrirë edhe në lokacione të tjera.

“Është realizuar një aksion i koordinuar në kuadër të një mase të veçantë hetimore. Janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar drogë, armë zjarri dhe mjete të tjera të dyshimta”, deklaroi Hoxha për IndeksOnlinen.

Edhe prokuroria ka konfirmuar se hetimet janë ende në zhvillim dhe se pas përfundimit të bastisjeve do të ketë informacione të tjera.

Ky është një ndër operacionet më të mëdha të ditëve të fundit, duke treguar vendosmërinë e institucioneve për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin me narkotikë në vend./IndeksOnline/