Kusari- Lila: “Haxhiu ka më shumë vota se Haradinaj e Krasniqi, jemi këtu për ta zhbllokuar situatën”

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar sot pas dështimit të radhës për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, duke mbrojtur fuqishëm kandidaturën e Albulena Haxhiut për këtë post.
Sipas saj, Haxhiu gëzon një legjitimitet të jashtëzakonshëm qytetar, krahasuar me liderët e partive opozitare, transmeton IndeksOnline.
“Albulena Haxhiu ka 3 herë më shumë vota se Ramush Haradinaj dhe dy herë më shumë se i tërë grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ka 30 mijë vota më shumë se Memli Krasniqi, kryetari i partisë së parë opozitare”, u shpreh Kusari-Lila.
Ajo theksoi se Lëvizja Vetëvendosje po vepron me seriozitet dhe kërkon konsensus për të zhbllokuar situatën institucionale.
“LDK-ja sot nuk mori pjesë fare në takimin konsultativ, ndërsa partitë e tjera deklaruan se janë aty vetëm për hir të respektit ndaj z.Dehari. Ne nuk jemi këtu për interesa personale apo subjektive, por për të garantuar funksionalitet institucional”, shtoi Kusari-Lila.
Konstituimi i kuvendit vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit për postin e kryetarit, ndërsa Albulena Haxhiu mbetet kandidatura e vetme e propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve. Seanca e radhës do të mbahet te premten duke filluar nga ora 11:00./IndeksOnline/