75 Mall Live Search
21:25 / E Mërkurë, 23 Prill 2025 / Z S

Kaos në Sarajevë – Policia e Republikës Serbe nuk lejoi Policinë e Bosnjës ta arrestojë Dodikun

Në Qendrën Administrative të Qeverisë së Republikës Serbe në Sarajevën Lindore, ku aktualisht ndodhet presidenti i RS-së, Milorad Dodik, sot kanë arritur pjesëtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA).

Mësohet se pjesëtarët e SIPA-s kanë tentuar ta arrestojnë Dodikun, por këtij veprimi i janë kundërvënë pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Serbe.

Më herët gjatë ditës, Dodik ka arritur në Qendrën Administrative në Sarajevën Lindore, ku sonte planifikon të mbajë një takim me kryetarin e bashkisë dhe kryetarët e komunave që përbëjnë Qytetin e Sarajevës Lindore.

Përpara këtij takimi, Dodik ka qëndruar në Shekoviq, ku në orën 16:00 ka marrë pjesë në një takim me rastin e fillimit të projektit për gazifikimin e pjesës lindore të Republikës Serbe. Ky takim është mbajtur në ndërtesën e komunës, siç ishte paralajmëruar më herët nga Kabineti i Presidentit të RS-së, raporton Klixa.ba

Kujtojmë se Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës kishte lëshuar më herët një urdhër-arrest për Milorad Dodikun, si dhe për kryeministrin e RS-së, Radovan Viskoviq dhe kryetarin e Kuvendit Kombëtar të RS-së, Nenad Stevandiq, pas një vendimi për dënim me burg për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë./Indeksonline/