14:15 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Hamza i dorëzon BE-së Programin për Reforma në Ekonomi

Ministri i Financave Bedri Hamza ka bërë dorëzimin e Programit për Reforma në Ekonomi 2018-2020 në Zyrën e Komisionit Evropian.

Hamza i cili ka dorëzuar këtë program shefes së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova, ka thënë se programi i reformave edhe këtë vit u përmbahet plotësisht instruksioneve dhe kritereve për analizë rigoroze të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

“Për herë të parë, ky program është hartuar me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të palëve me interes nga shoqëria civile dhe komuniteti i bizneseve, duke u bazuar në një proces gjithëpërfshirës të konsultimeve. Po ashtu, edhe institucionet e pavarura publike kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejt në azhurnimin e këtij programi”, ka thënë Hamza sipas komunikatës për media nga MF.

Sipas Hamzës, përsosja e ekonomisë së tregut kërkon reforma afatgjate të cilat krijojnë një ambient për rritje të produktivitetit dhe gradualisht zhvillojnë aftësinë e ekonomisë për t’u përballur me konkurrencën e një tregu të vetëm evropian.

“Drejt këtij rrugëtimi, gjithsesi, hapi i parë është planifikimi më i mirë strategjik, që siguron se burimet tona të kufizuara shfrytëzohen në mënyrën më efektive të mundshme.

Prandaj, programi për reforma në ekonomi është platformë që na mundëson përsosjen e planifikimit strategjik buxhetor dhe politik dhe mundëson efektivitet më të lartë të qeverisjes sonë”, ka theksuar Hamza.

Fokusi kryesor sipas tij, është vendosur në përmirësimin e ambientit rregullator, adresimin e boshllëqeve në infrastrukturën publike, orientimin e shpenzimeve për sektorët prioritar (rendit, edukimit, dhe shëndetësisë), të gjitha këto me një fokus të qartë në krijimin e kushteve për zhvillim të udhëhequr nga sektori privat.

“Ambienti makroekonomik, për dallim nga viti i mëhershëm, është më i favorshëm, dhe ofron mundësi të mirë që mundësitë fiskale t’i drejtojmë nga reformat afatgjata. Rritja ekonomike pritet të tejkalojë 4.5%, ndërsa stoku i borxhit po rritet me kujdes, kryesisht përmes kredive koncesionare. Rreziqet janë të balancuara”, ka theksuar ndër të tjerash ministri.

Temat: