14:27 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Ministri Hamza thotë se ka rënie të qytetarëve që kërkojnë punë

Ministri i Financave, Bedri Hamza u është përgjigjur kritikave të opozitës për projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2019, duke thënë se krahas rënies së numrit të të punësuarve, ka edhe rënie të atyre që kërkojnë punë.

Sipas tij nuk ka mundësi të shpjegohet zvogëlimi i vendeve të punës kur ka rritje ekonomike prej 4.2-4.3 përqind, krahas regjistrimit të bizneseve.

“Ka zvogëlim të numrit të të punësuarve, por ka edhe zvogëlim të numrit të atyre që kërkojnë punë. Dhe, në këtë rast kemi zvogëlim të normës së papunësisë. Mirëpo, kjo nuk na vendos asnjërin në pozitë komode, se tek e fundit a është norma e papunësisë 27 përqind, a 30, është e lartë, dhe fatkeqësisht është më së shumti tek të rinjtë dhe tek gjinia femërore. Sa i përket çështjes tjetër, se ka diskrepancë në mes të hyrave dhe shpenzimeve, nuk ka diskrepancë në mes të financimit dhe shpenzimeve”, u shpreh ai.

Ai komentoi edhe “buxhetin social” për të cilin u akuzua nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Tha se në këtë pikë kanë një dallim.   Tutje, Hamza tha se ndjehet keq që nuk ka mundur të rrisë më shumë se 20 përqind pensionet. Ndërsa kur foli për çështjen e veteranëve, ai tha se shifra prej 34 mijë është prej shtatorit të vitit 2017.

Krejt në fund, ai pohoi se Kosova ka nevojë për reformë pensionale.