Zbulohet pllaka përkujtimore e Ismet Rracit, në 24-vjetorin e vrasjes, Abdixhiku: Trashëgimia politike e tij vazhdon të jetojë brenda LDK-së

Sot është zbuluar pllaka përkujtimore e Ismet Rracit, në 24-vjetorin e vrasjes së tij.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku i cili së bashku me deputetë dhe anëtarë të kryesisë ishin në zbulimin e pllakës përkujtimore tha se kjo pllakë e cila është pjesë e koridorit të përkujtimeve në LDK, do të shërbejë si shenjë kujtimi për veprën e jashtëzakonshme të burrave e grave në shërbim të vendit.
“Trashëgimia politike e Ismet Rracit vazhdon të jetojë brenda Lidhjes. Atë e gjejmë sot më së miri tek tani kryetari i degës sonë në Klinë, Albani, biri i tij”, ka thënë Abdixhiku.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Në praninë e familjarëve, zonjës Xhemile, djemve Albanit e Asimit; nën shoqërimin e deputetëve e anëtarëve të Kryesisë, sot zbuluam pllakën përkujtimore të Ismet Rracit, në 24 vjetorin e vrasjes së tij.
Kjo pllakë, pjesë e koridorit të përkujtimeve në LDK, krah Enverit, Xhemes e Nekibes, do të shërbejë si shenjë kujtimi për veprën e jashtëzakonshme të burrave e grave të shtëpisë tonë në shërbim të vendit.
Më 24 prill të vitit 2001, familja Rraci humbi më të dashurin e tyre; LDK një veprimtar të pashoq të orëve të rënda; Klina një kryetar komune të zgjedhur me votë demokratike; e Kosova një atdhetar të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci.
Trashëgimia politike e Ismet Rracit vazhdon të jetojë brenda Lidhjes. Atë e gjejmë sot më së miri tek tani kryetari i degës sonë në Klinë, Albani, i biri i tij!
Ismet Rraci ishte themelues i Degës së LDK-së në Klinë. Pas përfundimit të luftës, ai ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Klinës. Gjatë shkuarjes së përditshme për në punë, pranë hyrjes së banesës së tij, ishte vrarë më 24 prill të vitit 2001. Vrasësit ende janë në liri!