75 Mall Live Search
15:46 / E Diele, 04 Maj 2025 / Burim

SHSKUK del me reagim: Stafi mjekësor nuk është i rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në QKUK

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka reaguar rreth disa deklaratave se brenda këtij institucioni ka ndodhur një përleshje fizike e cila ka rrezikuar stafin mjekësor.

Në reagimin e tyre thuhet se stafi mjekësor dhe ai mbështetës nuk janë të rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në QKUK.

“Theksojmë qartë se mjekët, stafi mjekësor dhe ai mbështetës nuk janë të rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në QKUK. Në Klinikën Emergjente janë të kontraktuar 24 orë policë dhe punëtorë sigurimi, të cilët kujdesen për sigurinë e stafit dhe pacientëve”, thuhet në reagim.

Ky reagim vjen pas raportimeve për një rrahje brenda QKUK-së mes disa personave që ishin miq të dy viktimave që ishin dërguar për trajtim në Klinikën Emergjente.

Mjeku kujdestar Avdush Bajgora ka thënë për KlanKosova se kanë qenë të rrezikuar.

“Kemi qenë të rrezikuar edhe pacientët e tjerë edhe ne si staf. Ka shkuar luftë brenda mes tyre. Nuk më kujtohet saktë se si është zhvilluar rasti, por mezi kemi shpëtuar”, deklaroi Bajgora.

Reagimi pa ndërhyrje i SHSKUK-së:

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me disa deklarata të bëra së fundmi, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin në institucionin tonë.

Theksojmë qartë se mjekët, stafi mjekësor dhe ai mbështetës nuk janë të rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në QKUK. Në Klinikën Emergjente janë të kontraktuar 24 orë policë dhe punëtorë sigurimi, të cilët kujdesen për sigurinë e stafit dhe pacientëve.

Është e vërtetë që stafi ynë trajton raste të ndryshme, përfshirë edhe ato të ndjeshme apo me të dyshuar për vepra kriminale, por asnjëherë nuk ka pasur rrezikim të drejtpërdrejtë të stafit mjekësor. Në rastet kur ka pasur situata që kërkonin ndërhyrje, sigurimi dhe policia kanë reaguar menjëherë dhe me profesionalizëm – siç e pranon edhe vetë mjeku në deklaratën për të cilën po reagojmë.

Prandaj, konsiderojmë se deklarata të tilla janë të pamatura dhe të pabazuara, dhe nuk ndihmojnë në ndërtimin e një klime të mirëbesimit dhe bashkëpunimit në sistemin shëndetësor.

QKUK mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime të sigurta dhe cilësore për qytetarët, duke garantuar një ambient të mbrojtur për të gjithë punonjësit e saj. /Indeksonline/