75 Mall Live Search
13:34 / E Mërkurë, 07 Maj 2025 / MSH

Peja dhe Gjakova nderuan Ahmet Gjikollin, në 26-vjetorin e rënies heroike

Me homazhe dhe nderime te përmendorja e tij, në qendër të Pejës, është shënuar sot 26-vjetori i rënies heroike të dëshmorit të kombit Ahmet Gjikolli nga Peja, i rënë më 7 Maj 1999, në Betejën e Çabratit në mbrojtje të qytetit të Gjakovës.

Qytetarë, familjarë, shokë e bashkëluftëtarë të Ahmetit, kanë kujtuar dhe nderuar veprën heroike të tij, nëpër të gjitha betejat e Rrafshit të Dukagjinit e deri në betejën e tij të fundit në Çabrat, ku edhe ra heroikisht në përballje diversante me forcat okupatore serbe.

Për të kujtuar lavdinë dhe trimërinë e Ahmetit në mbrojtje të Çabratit, nga Gjakova erdhën për homazhe, ish-bashkëluftëtarë të tij nga brigada 137 “Gjakova”, të prirë nga komandanti i brigadës Agron Kryeziu dhe komandanti i togës Hekuran Hoda.

Nga skena politike homazheve u ka prirë ish-kryetari i komunës dhe kryetar i AAK-së Ali Berisha ndërsa kanë nderuar edhe delegacione nga AAK-ja të prirë nga sr. Ilirjana Gafuri dhe nga Vetëvendosje prirë nga n/kryetari Berat Ganiqi.

Ndryshe, Ahmet Gjikolli ka qenë ushtar i dalluar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para të luftës, duke u rreshtuar dhe shërbyer në Zonën III Operative të Dukagjinit, nën komandën e Ramush Haradinajt, (ish-kryeministër i Kosovës dhe kryetar i AAK-së).

Ahmet Gjikolli vjen nga një familje punëtore me tradita të lashta qytetare pejane, e njohur për ndershmëri.

Ahmet Gjikolli ra heroikisht në pballje me forcat serbe në Çabrat, në mbrojtje të Gjakovës, më 07 maj të vitit 1999, në një betejë të ashpër urbane.

Fillimisht ishte varrosur në Çabrat, ndërsa pak ditë pas çlirimit të Kosovës dhe Pejës, më 3 korrik të vitit 1999, ishte rrivarrosur me nderime të larta ushtarake në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Pejë. -Peja e çliruar atëkohë drejtohej nga Et’hem Çeku-kryetar./Njeshi&RADIO 1/

Arkivoli me trupin e pajetë të Ahmet Gjikollit – bartet nga Ushtria UÇK
Arkivoli me trupin e pajetë të Ahmet Gjikollit – bartet nga Ushtria UÇK
Familjarët, Nëna Shemsija në mes, majtas Nagip Gjikolli, në anën e djathtë vëllau Agoni
Familjarët, Nëna Shemsija në mes, majtas Nagip Gjikolli, në anën e djathtë vëllau Agoni