75 Mall Live Search
12:29 / E Enjte, 15 Maj 2025 / k.v

Vrasja e 7 civilëve shqiptar në Zhazhë, ky është ish-komandanti i Njësisë së Policisë në Zveçan i arrestuar për krime lufte

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se është arrestuar Milijojko Djordjeviq, i nacionalitetit serb, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile shqiptare në komunën e Zveçanit, gjatë luftës së fundit në Kosovë, transmeton IndeksOnline.

Arrestimi i tij është bërë me urdhër të prokurores speciale Florije Salihu-Shamolli, pas hetimeve disa mujore në bashkëpunim të ngushtë me Hetuesit e Krimeve të Luftës.

Sipas Prokurorisë, Djordjeviq dyshohet se gjatë viteve 1998/1999, në cilësinë e komandantit të Njësisë së Policisë në Zveçan, në kuadër të strukturave të MUP-it serb, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime me dhunë, plaçkitje, tortura dhe rrahje sistematike të civilëve shqiptarë.

Po ashtu, ekzistojnë dyshime të bazuara se gjatë muajit prill të vitit 1999, i pandehuri Milijojko Djordjeviq ka qenë pjesë e një operacioni ushtarako-policor në fshatin Zhazhë, së bashku me forcat e organizuara serbe, përfshirë Ushtrinë Jugosllave dhe Policinë Serbe. Si pasojë e këtij operacioni, kanë mbetur të vrarë shtatë civilë shqiptarë.

Trupat e viktimave u gjetën më pas në varrezat e fshatit Suhodoll, në komunën e Mitrovicës, pas përfundimit të luftës.

Prokuroria njofton se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rasteve dhe përgjegjësive penale për krimet e kryera./IndeksOnline/