Ylli i Atletico Madridit dje u përshëndet me tifozët, reagon skuadra: Kush tha që po largohet? Ka kontratë deri në 2026!

Pas lamtumirës emocionale të Ángel Correas kundër Betisit, përfshirë lotët, Atletico Madridi ka dalë me një reagim publik.
Në reagim thuhet se lojtari ka edhe një vit kontratë dhe se skuadra s’është njoftuar për ndonjë largim të mundshëm nga ai.
“Një vit tjetër në kontratën e argjentinasit dhe, siç sigurojnë bardhekuqtë, “Duke pasur parasysh dyshimet e gjeneruara në fund të ndeshjes së djeshme kundër Real Betisit në Riyadh Air Metropolitano, klubi dëshiron të sqarojë se Ángel Correa aktualisht ka një kontratë me Atlético de Madridin deri më 30 qershor 2026. Asnjë klub nuk ka kontaktuar entitetin tonë për të filluar negociatat për një transferim të mundshëm të sulmuesit tonë dhe as përfaqësuesi i tij nuk na ka bërë ndonjë ofertë për ndërkombëtarin argjentinas”, thuhet në njoftimin e Atletico Madridit.
Ángel Correa iu bashkua Atlético de Madridit në dhjetor 2014 dhe që atëherë ka luajtur 465 ndeshje zyrtare, duke u bërë lojtari i gjashtë me më shumë paraqitje në historinë e klubit. Ai gjithashtu ka shënuar 88 gola në këto ndeshje.
Correa jo vetëm që i tha lamtumirë në fushë, por edhe në rrjetet sociale: “ Sot ishte ndeshja ime e fundit në shtëpi duke veshur këtë fanellë që e dua kaq shumë. Nuk ishte thjesht një ditë tjetër, ishte një koleksion kujtimesh, emocionesh dhe mirënjohjeje. Faleminderit klubit, shokëve të mi të ekipit dhe këtyre tifozëve të jashtëzakonshëm që gjithmonë më bënë të ndihesha si një prej tyre. Do të pranoj çdo duartrokitje, çdo ovacion dhe çdo moment në zemrën time. Do të jem gjithmonë mirënjohës për gjithçka që përjetova në Atletico. Faleminderit për shumë gjëra” shkroi Correa pas ndeshjes me Betisin./Indeksonline/