Grabitje e organizuar në qendër të Prishtinës/ Shënjestra, një filial telefonik

Rreth orës 03:15 të mëngjesit të sotëm, është raportuar për një rast grabitjeje të ndodhur në një nga filialet e një operatori telefonik në sheshin “Nënë Tereza”, në kryeqytet.
Sipas informatave fillestare, dyshohet se tre persona të maskuar kanë sulmuar sigurimin fizik jashtë objektit dhe më pas kanë hyrë brenda godinës.
Nga aty, sipas dyshimeve, ata kanë marrë një kasafortë që kishte para të gatshme, telefona të rinj dhe mbushje telefonike, shkruan IndeksOnline.
Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes në një drejtim ende të panjohur. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar gjatë incidentit.
Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe me rekomandim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Grabitje”. Rasti vazhdon të jetë nën hetime.