75 Mall Live Search
09:49 / E Premte, 23 Maj 2025 / H F

Ministria e Drejtësisë kërkon heqjen e mbetjeve të rrezikshme nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (Dokument)

Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu planifikon të bëjë largimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).

Kështu, ky dikaster qeveritar ditë më parë përmes platformës E-prokurimi ka kërkuar të kontraktojë një operator ekonomik për kryerjen e kësaj detyre.

Për tenderin në fjalë janë ndarë hiç më pak se 30 mijë euro, kurse kohëzgjatja e kontratës parashihet të jetë për 36 muaj.

Sipas njoftimit, sasia apo fushëveprimi i përgjithshëm është për 5.900 kg.

“Operatori ekonomik duhet ta ketë të përfunduar me sukses të paktën një kontratë për shërbime te ngjashme në tre vjetët e fundit nga data e publikimit te njoftimit per kontratë”, është një ndër kërkesat e MD-së, lidhur me këtë tender.

Tutje, precizohet që operatori ekonomik duhet të posedojë peshoren për matjen e sasisë së mbetjeve në vendin e marrjes dhe – automjete të përshtatshme për transportimin e mbetjeve të rrezikshme, që parandalojnë rrjedhjen e tyre dhe rrezikojnë ndotjen e ambientit apo edhe kontaktin e personave tjerë të paautorizuar.

Afati i fundit për pranimin e tenderëve është deri më 5 qershor, të këtij viti./IndeksOnline/