Gjakovari tenton të korruptojë policinë në Durrës për t’i shpëtuar gjobës

Një 38-vjeçar nga Gjakova është proceduar penalisht nga Policia e Shqipërisë pasi tentoi të korruptojë një punonjës të Policisë Rrugore në Durrës, me qëllim shmangien e një ndëshkimi administrativ, transmeton IndeksOnline.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Pavarësia” në Durrës, ku shërbimet e Policisë Rrugore ndaluan një autobus, drejtuesi i të cilit ishte duke përdorur telefonin gjatë vozitjes – shkelje që cenon direkt sigurinë rrugore.
Gjatë ndalimit, drejtuesi i autobusit, shtetasi A. A., 38 vjeç, me banim në Gjakovë, i ka ofruar para punonjësit të Policisë me qëllim shmangien e gjobës. Veprimi i tij është dokumentuar dhe ndaj tij ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Durrësit thekson se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për të korruptuar zyrtarët publikë dhe apelon për zbatim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor. Po ashtu, fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga autoritetet./IndeksOnline/