75 Mall Live Search
14:56 / E Hënë, 09 Qershor 2025 / Z S

Drogëra të forta brenda dhomës së hotelit në Dhërmi, arrestohen dy anglezët, shisnin ketaminë dhe ekstazi

Dy anglezë duket se nuk kishin ardhur për pushime në Shqipëri, por për ‘biznes’ me shitje drogën.

Policia thotë se janë vënë në pranga dy shtetas, të cilëve iu gjetën drogat e forta në dhomën ku qëndronin në Dhërmi, si dhe në automjetin e tyre, së bashku me një shumë parash prej 6 185 eurosh dhe 720 paundësh, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Nga operacioni policor i koduar “Cocktail”.u arrestuan në flagrancë shtetasit e huaj, lindur dhe banues në Londër, J. B., 34 vjeç, dhe J. C., 33 vjeç, të cilët qëndronin të akomoduar në fshatin Dhërmi, raporton Topchanel.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën e tyre dhe në automjetin tip “Mitsubishi”, në përdorim të tyre, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 52 doza me lëndë narkotike të llojit MDMA, 51 doza me lëndë narkotike të llojit Ketaminë dhe 120 kokrra Ekstazi.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas i shisnin dozat e lëndëve narkotike në ambientet e argëtimit përgjatë vijës bregdetare, të frekuentuara nga pushues dhe turistë të huaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale./Indeksonline/