Kurti publikon pamje të çerdhes së përuruar në Skenderaj, 1.2 milionë euro investim për fëmijët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përuruar sot në Skenderaj një nga gjashtë çerdhet që po ndërtohen në vend me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes fondeve të instrumentit të para-anëtarësimit (IPA), në vlerën prej 1.2 milionë euro.
Në njoftimin e tij zyrtar, Kurti theksoi se kjo çerdhe e re ka një sipërfaqe prej 1,600 metra katrorë dhe përfshin edhe 800 metra katrorë hapësirë përcjellëse, duke ofruar kushte të përshtatshme dhe terren të nevojshëm për zhvillimin edukativo-arsimor të 120 fëmijëve.
“Investimet tona në Komunën e Skenderajt gjatë këtij mandati arrijnë totalin prej 3.2 milionë euro, nga të cilat 2.1 milionë euro janë punime tashmë të finalizuara. Kjo është baza e mbështetjes sonë për këtë fole të re për brezin e ri, e cila do të vazhdojë të rritet edhe më tej,” ka deklaruar Kryeministri.
Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Skenderaj dhe për fuqizimin e përfshirjes së hershme të fëmijëve në edukim cilësor.