A dështoi thirrja e MSH-së për kthimin e mjekëve nga diaspora, Sejdiu: Erdhën dy dhe ikën, s’ka kushte për punë

Thirrja e Ministrisë së Shendetësisë (MSH) dhe as investimet e bëra në klinika, nuk i kanë bindur mjekët nga diaspora që të kthehen dhe të punojnë në Kosovë.
Derisa trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova po vazhdon, nuk ka ndonjë mjek i cili është kthyer për të punuar në QKUK. Vetëm nga janari i këtij viti Kosovën e kanë braktisur 37 mantelbardhë. Por si duket thirrja e MSH për kthimin e mjekëve nga diaspora ka dështuar.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu ka thënë për “Indeksonline” se thirrjes së MSH-së nuk i janë përgjigjur mjekët e diasporës. Ai thotë se kanë qenë vetëm dy raste kur mjekët nga diaspora kanë ardhur në QKUK dhe të cilet vetëm pas një muaji janë larguar nga aty. E e gjithë kjo për shkak të kushteve të punës.
Sipas tij megjithëse u bë bujë e madhe për ardhjen e tyre, ata vetëm pas pak ditësh e braktisën QKUK-në.
Sejdiu thotë se mjekët nga diaspora nuk mund të joshën me fotele e hollet e renovuara, por atyre duhet t’i sigurohen kushte, e mjete për punë.
“Nuk di unë i di dy raste që kanë ardhur nivel i ekspertëve, një në onkologji dhe një në ORL. Është bërë bujë e madhe se ja çfarë është arritur. Në të vërtetë ata kanë qendru në QKUK një muaj dhe janë larguar, për shkak të kushteve të punës, por edhe për shkak të kornizës ligjore, e cila nuk u ka mundësuar të punojnë. Edhe ata dy kan[ shkuar në privat. Përndryshe gjithë të tjerët, janë në sektorin privat. Nuk ka asnjë rast tjetër që janë ardh dhe janë punësuar. Janë individuale, por jo diçka që do t’i joshte, sepse të gjithë ata që kthehen, nuk do të ktheheshin për punën e pagës, sepse ne nuk mund t’i konkurrojmë. Janë kushtet e punës që nuk i lejojnë ata, që të kthehen. Dhe kushtet e punës nuk janë siç kanë bërë fotele, luksin e holleve dhe gjërat e tjera. Janë mjetet e punës, të cilat do të mund t’i joshnin ata që të vijnë të vazhdojnë dhe kontribuojnë këtu”, tha Sejdiu.
Teksa flet për investimet e bëra në klinikat e QKUK-së, Sejdiu thotë se investimet e bëra janë sekondare dhe se për këto vite nuk u investua asgjë në njerëz dhe as në aparatura e mjete të punës..
“Shkoni shikoni ato hollet që janë bërë dhe shumica janë prishur. Këto janë të nevojshme, por janë sekondare. Janë për sy të televizionit, për sy te pacientit për një kohë dhe aq. Cfarë është bërë në investimet në njerëz, në investimet në aparaturat, të cilat janë në nevojë dhe çfarë është bërë në investime në furnizimin e rregullt me mjete të punës dhe materiale. Nuk është bërë asgjë“, tha ai ./Indeksonline/