75 Mall Live Search
19:02 / E Enjte, 12 Qershor 2025 / H F

Simbol i lirisë në Bonn, Kosovës i zbulohet pllaka përkujtimore

Në kuadër të shënimit të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, në Bonn të Gjermanisë është zbuluar një pllakë përkujtimore në lokacionin ku dikur ishte vendosur Qeveria në ekzil e Republikës së Kosovës gjatë viteve 1995–1999.

Në ceremoninë e mbajtur, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e cilësoi këtë akt si më shumë se një simbolikë. Ai tha se zbulimi i pllakës përkujtimore përfaqëson një shprehje të thellë mirënjohjeje dhe respekti jo vetëm për të kaluarën e popullit të Kosovës, por edhe për përpjekjet dhe sakrificat që u bënë për lirinë dhe shtetësinë.

“Zbulimi i kësaj pllake përkujtimore – sot më 12 qershor për Ditën e Çlirimit të Kosovës – nuk është vetëm një akt simbolik. Është një akt mirënjohjeje dhe respekti – fillimisht për historinë tonë, për njerëzit tanë, për institucionet tona të atëhershme që vepruan në kushte të jashtëzakonshme, si dhe për shtetin mik gjerman, i cili ishte i vetmi shtet që asokohe e lejoi funksionimin e Qeverisë në ekzil në territorin e tij.”, ka shkruar Ajeti, transmeton IndeksOnline.

Pjesë e ngjarjes ishte edhe ish-Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping, i cili në atë kohë kishte një rol të rëndësishëm në mbështetjen ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës. Me këtë rast, Scharping dërgoi një mesazh përshëndetës ku theksoi përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj Republikës së Kosovës.

Ambasadori Ajeti falënderoi publikisht ish-ministrin Scharping, duke e cilësuar atë si një mik të madh të Kosovës.

“Faleminderit nga zemra Ministër Scharping për mbështetjen tënde të vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës. Mirënjohës për përkushtimin tuaj ndër vite!”

Ky akt përkujtimor vjen në një moment simbolik, duke rikujtuar jo vetëm rrugën e vështirë të shtetformimit të Kosovës, por edhe aleancat ndërkombëtare që ndihmuan në realizimin e lirisë së saj.