Lushaku i reagon Pecit: LDK-ja nuk i sulmon familjet, por arrogancën dhe gjuhën fyese të Donika Gërvallës

Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku, ka reaguar pas deklaratave të Faton Pecit, drejtuar liderit të LDK-së Lumir Abdixhikut lidhur me deklaratat e tij për ministren në detyrë Donika Gërvalla. .
Lushaku ka thënë se kur një deputet flet për edukatën si pasuri të trashëguar dhe jo si sjellje personale, atëherë kemi problem serioz në kuptimin e përgjegjësisë publike.
“Faton Peci, askush nuk po flet për figurat historike që ne i nderojmë dhe i respektojmë. Askush nuk e ka përmendur Jusuf Gërvallën, Suzanën apo Nënën Ajshe. Por të gjithë kemi parë sjelljen publike të Donika Gërvalla Shwarz, arrogancën, përçmimin dhe gjuhën fyese. Ajo nuk po gjykohet për mbiemrin që mban, por për mënyrën se si flet, sillet dhe përfaqëson. LDK-ja nuk i sulmon familjet. Por as nuk hesht kur dikush, në emër të një historie familjare, shkel etikën institucionale dhe sulmon deputetët me fjalor të papranueshëm. Nuk janë biografitë që të japin të drejtë të sillesh si të duash, por është sjellja që e përcakton njeriun, jo vetëm mbiemri që mban”, ka shkruar Lushaku në Facebook.
Postimi i plotë:
Sot, paska kollapsuar KEK-u, e për ta shpërqëndruar vëmendjen nga blerja e rrymës me çmime keqpërdoruese, disa uzurpatorë ‘ministra’ paskan vendosur që të na moralizojnë. Prandaj, po i reagoj edhe njërit, që me pasion shkrihet për të thënë dicka për familjen politike, që e ka tradhëtuar: Faton Pecit.
EDUKATA NUK TRASHËGOHET, AJO DËSHMOHET, DEPUTET FATON!!
Kur një deputet flet për edukatën si pasuri të trashëguar dhe jo si sjellje personale, atëherë kemi problem serioz në kuptimin e përgjegjësisë publike.
Faton Peci, askush nuk po flet për figurat historike që ne i nderojmë dhe i respektojmë. Askush nuk e ka përmendur Jusuf Gërvallën, Suzanën apo Nënën Ajshe. Por të gjithë kemi parë sjelljen publike të Donika Gërvalla Shwarz, arrogancën, përçmimin dhe gjuhën fyese. Ajo nuk po gjykohet për mbiemrin që mban, por për mënyrën se si flet, sillet dhe përfaqëson.
LDK-ja nuk i sulmon familjet. Por as nuk hesht kur dikush, në emër të një historie familjare, shkel etikën institucionale dhe sulmon deputetët me fjalor të papranueshëm. Nuk janë biografitë që të japin të drejtë të sillesh si të duash, por është sjellja që e përcakton njeriun, jo vetëm mbiemri që mban.
Dhe nëse jemi tek përgjegjësia publike, le ta kujtojmë se, në kohën kur Donika Gërvalla Schwarz ishte ministre e Jashtme, është futur nën sanksione nga shtetet mike. Një dëm i pariparueshëm për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Sa shkolla, çerdhe e rrugë do të ishin ndërtuar me asistencën, që BE-ja dhe SHBA-ja ia ndalën Kosovës për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të kësaj qeverie?!
E po të ishte edukata në nivelin që pretendoni, nuk do të kishim as arrogancë në Kuvend, as sanksione në diplomaci, e as dëm të tillë për vendin e qytetarët. Mos të flasim për izolimin dhe prishjen e raporteve diplomatike.