Çmimet e naftës pritet të rriten pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit

Çmimet globale të naftës pritet të rriten kur tregjet e energjisë të nisin tregtimin të hënën në mëngjes në Azi.
“Sulmet e SHBA-së e kanë çuar konfliktin në një nivel të ri dhe shumëkush ka frikë se kjo vetëm do ta përkeqësojë më tej situatën,” thotë për BBC Dr. Carole Nakhle, drejtoreshë ekzekutive e kompanisë Crystol Energy.
“Kjo frikë do të reflektohet në një ‘premium gjeopolitik’ më të lartë që i shtohet çmimeve të naftës – askush nuk e di saktësisht sa është ky premium, por si rregull, sa më e madhe të jetë frika, aq më i lartë është premiumi,” shton ajo.
Nafta Brent e përfundoi javën tregtare të premten me një çmim prej 77.01 dollarësh për fuçi, pasi u rrit me pothuajse 20% gjatë muajit të fundit.
Pavarësisht kësaj rritjeje, çmimet e naftës aktualisht janë ende më të ulëta sesa ishin në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Kostoja e naftës së papërpunuar ndikon në gjithçka – që nga çmimi për të mbushur makinën me karburant, deri tek çmimi i ushqimeve në supermarkete.