Ndrejaj: I kemi dyert e hapura për mjekët nga diaspora, por duhet të ndiqen disa procedura

Ministria e Shendetësisë kohë më parë u ka bërë thirrje mjekëve nga diaspora që të vijnë dhe ta japin kontributin e tyre në shendetësinë kosovare.
Megjithëse ka zëra që thonë se mjekët nga diaspora po refuzohen, institucionet e mohojnë një gjë të tillë. E këtë e ka mohuar dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ku përmes një reagimi ka pohuar se ata veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përmes Divizionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, u mundëson të gjithë profesionistëve shëndetësorë, përfshirë edhe ata nga diaspora, të angazhohen në mënyrë vullnetare në sistemin shëndetësor të vendit.
“Çdo profesionist mjekësor që shpreh vullnetin për të kontribuar, mund të paraqesë një kërkesë të thjeshtë përmes procedurave të përcaktuara, pa asnjë pengesë administrative apo ligjore. Dëshirojmë të theksojmë se qëllimi i rregullave dhe procedurave në institucionet tona nuk është të krijojë barriera, por të sigurojë një funksionim të rregullt dhe të koordinuar të sistemit shëndetësor”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.
E një gjë të tillë e ka mohuar dhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Zef Ndrejaj. Ndrejaj ka thënë për Indeksonline se asnjë mjek nga diaspora nuk është refuzuar. Sipas tij mjekët e interesuar duhet t’i ndjekin procedurat e parapara dhe se duhet t’i drejtohen Ministrisë së Shendetësisë (MSH), për të marrë një leje të përkohshme pune.
“Nuk është e vërtetë që dikush nga diaspora ka bërë kërkesë zyrtare dhe është refuzuar. Për të ardhur dhe për të punuar apo për të dhënë ndihmë, janë disa rregulla që duhet të respektohen. Duhet të merret leja nga Ministria e Shendetësisë. Nuk mund askush pa leje të vjen dhe të jap kontributin në QKUK , pasi që e gjithë kjo duhet të bëhet në mënyrë institucionale. Në Klinikën e Gjinekologjisë nuk kemi pasur ndonjë kërkesë, e cila është refuzuar. Kolegët tanë nga diaspora mund të takohen me koleget e tyre në kongrese të ndryshme dhe mund të shprehin vullnetin për të ardhur në Kosovë, por ata së pari duhet t’i drejtohen MSH-së. Kërkesat duhet të shkojnë përmes MSH-së e cila duhet t’i jap leje të përkohshme për punë. S’eshte e vërtetë që ka raste që janë refuzuar, apo nuk janë marrë parasysh. S’ka asnjë kërkesë zyrtare që është refuzuar”, tha ai.
Ndërsa thotë se i kanë dyert e hapura, për të gjithë ata që shprehin interesim dhe se me shumë dëshirë do t’i mirëpresin. E interesim sipas tij ka shprehur së voni një mjek gjinekolog -onkolog nga Zvicra, i cili së shpejti pritet të vjen në QKUK, për të dhënë kontributin e tij.
Ndrejaj thotë se pasi mjeku nga Zvicra i është drejtuar atij dhe ka shprehur vullnetin që eksperiencat e tij nga Zvicra t’i bartë dhe në Kosovë, ai i është drejtuar MSH-së dhe po i ndjek porcedurat e parapara.
“ Ne e kemi një doktor gjinekolog- onkolog nga Zvicra. Ai mu ka drejtuar mua dhe unë i kam thënë që kjo duhet të bëhet përmes MSH. Ai tani është duke i rregulluar dokumentet, është në procedurë dhe shumë shpejtë pritet me ardh në QKUK. Ne nuk i refuzojmë kolegët tanë nga diaspora, i mirëpresim. Për mua nuk ka kurrfarë pengese me ardh dhe me kry punë. Ne nuk i pengojmë nëse kanë leje të punës nga MSH. Çdo kush kush që ka leje të punës, që ka bërë kërkesë në MSH, e ka deren e hapur, ne nuk i pengojmë“, tha ai./Indeksonline/