Atletico Madrid “përshëndetet” me Kupën e Botës

Atletico Madrid, e ka përfunduar në fazën e grupeve aventurën e saj në Kupën e Botës për klube.
Kjo edhe pavarësisht fitores prej 1:0 ndaj Botafogos në ndeshjen e fundit të Grupit B.
Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone, e dinte se një fitore ishte minimumi i nevojshëm për të pasur shpresë për kualifikim, por për të kaluar në vendin e dytë përpara Botafogos, fitorja duhej të ishte me të paktën tre gola diferencë, duke qenë se Paris Saint-Germain mposhti pa vështirësi Seattle Soundersin në ndeshjen tjetër të grupit.
Spanjollët patën raste për të shënuar që në pjesën e parë, por një penallti e fituar nga Julian Alvarez u anulua pas një kontrolli nga VAR, pasi u evidentua një faull i mëparshëm nga Alexander Sorloth në aksionin ndërtues.
Gjatë gjithë ndeshjes, “Los Colchoneros” dominuan, me Antoine Griezmann ndër më të rrezikshmit për të çelur rezultatin.
Nga ana tjetër, edhe Botafogo pati momente të rrezikshme, ku portieri Jan Oblak bëri një pritje vendimtare në minutat e fundit për të mbajtur portën të paprekur.
Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 87-të, kur francezi Antonie Griezmann finalizoi një pasim të Julian Alvarezit.
Megjithatë, dy golat e tjerë të nevojshëm për të siguruar kualifikimin nuk erdhën, duke vulosur eliminimin e Atleticos nga turneu.
Një grup i vështirë për skuadrën spanjolle, por gjithsesi pritej më shumë nga një ekip me përvojë ndërkombëtare si Atletico Madrid.
Tashmë, ata do të rikthehen në Madrid, duke analizuar një tjetër zhgënjim në garat evropiane dhe ndërkombëtare.