Rihapet Ambasada e SHBA-së në Jerusalem

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jerusalem ka njoftuar zyrtarisht rihapjen e saj, pas një periudhe të shkurtër mbylljeje të përkohshme për shkak të përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.
Në deklaratën e publikuar të mërkurën, ambasada konfirmon se janë hequr të gjitha urdhrat e strehimit për punonjësit e saj, ndërsa rifillimi i operacioneve është bërë i mundur pas armëpushimit të arritur ndërmjet dy vendeve.
“Bazuar në heqjen e kufizimeve nga Komanda e Frontit të Brendshëm të Izraelit, Ambasada e SHBA-së në Jerusalem ka rifilluar shërbimet normale dhe ka hequr udhëzimet për strehim për stafin diplomatik dhe familjet e tyre,” thuhet në njoftim.
Megjithatë, ambasada ka mbajtur në fuqi disa kufizime për udhëtimet e punonjësve të qeverisë amerikane dhe familjarëve të tyre, duke lejuar lëvizjen vetëm brenda zonave të mëdha të Tel Avivit (përfshirë Herzliya, Netanya dhe Even Yehuda), Jerusalemit dhe Be’er Sheva-s. Udhëtimi jashtë këtyre zonave mbetet i ndaluar deri në një njoftim të dytë.
Për shkak të përshkallëzimit të konfliktit ushtarak në javët e fundit, Ambasada kishte dhënë urdhër për strehim në vend për të gjithë personelin dhe kishte pezulluar përkohësisht shërbimet konsullore. Pas njoftimit për armëpushim, janë hequr paralajmërimet për rrezik të drejtpërdrejtë dhe operacionet po rifillojnë gradualisht.
Kjo rihapje vjen në një moment kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë filluar të ulen, por situata në rajon mbetet ende e brishtë. Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se zhvillimet do të monitorohen nga afër dhe se mund të merren masa të reja nëse gjendja e sigurisë ndryshon.