Mbi 20 zyrtarë në MASHT mbajnë kundërligjshëm pozitat si ushtrues detyre

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar shkelje serioze të ligjit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), duke konstatuar se 22 pozita në këtë institucion po mbulohen me ushtrues detyre përtej afateve të lejuara ligjore.
“Në kuadër të MASHTI-it, janë 22 pozita që mbulohen me ushtrues detyre/zëvendësues për një periudhë më të gjatë se periudha e lejuar me ligj”, thuhet në raportin e auditorit, raporton Indeksonline.
Sipas raportit të auditimit, pozitat janë të mbuluara për periudha që shkojnë nga dy muaj deri në gjashtë vjet, duke shkelur kështu nenin 35 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i cili e kufizon mandatin e ushtruesit të detyrës në maksimumi 12 muaj.
Ndër pozitat më problematike përmenden:
Udhëheqësja e Divizionit për Inovacion dhe për Koordinim të Politikave, të mbuluara me ushtrues detyre që nga viti 2018;
19 pozita në administratën e MASHTI-it, me tejkalime nga 2 muaj deri në 5 vite;
3 pozita tjera në Inspektoratin e Arsimit, Universitetin “Haxhi Zeka” dhe Agjencionin për Arsim dhe Aftësim Profesional, me tejkalime nga 1 muaj deri në 6 vite.
Zyrtarët e MASHTI-it e kanë arsyetuar këtë situatë me faktin se rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës ka hyrë në fuqi vetëm në nëntor të vitit 2024.
” Mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë se periudha e lejuar, krijon pasiguri në vendimmarrje dhe përgjegjësitë e funksioneve kyçe. Njëherit, është në kundërshtim me kërkesat ligjore si dhe ndikon negativisht në efektivitetin e administratës dhe institucioneve vartëse”, thuhet në raport/Indeksonline/.