DhTIK reagon sërish për mosregjistrimin e automjeteve, kërkon reflektim

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka reaguar sërish duke shprehur shqetësimin për pamundësinë e regjistrimit të automjeteve në rast se kanë gjoba, vendim ky i marrë nga Agjencia e Regjistrimit Civil.
Sipas komunikatës për media, DhTIK është angazhuar për të gjetur një zgjidhje në lidhje me këtë çështje.
“Në takimin që kemi mbajtur me zyrtarë të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Policisë, nga kjo e fundit jemi njoftuar që ata kanë pezulluar përkohësisht gjobat e trafikut për bizneset, vetëm në rastet kur rastet kur vozitësit e automjeteve nuk janë identifikuar, përderisa gjobat e bizneseve në rastet kur vozitësit janë identifikuar, mbeten në fuqi deri në zgjidhjen e kësaj çështje. Zyrtarë të Dhomës kanë kërkuar që ky pezullim të aplikohet për të gjitha llojet e gjobave të bizneseve deri në gjetjen e një zgjidhje të drejtë dhe të përballueshme”, thuhet në komunikatë për media.
Dhoma shprehet e shqetësuar për qasjen që institucionet përgjegjëse kanë zgjedhur të veprojnë karshi kësaj situate, duke bllokuar të gjithë flotën e automjeteve të një biznesi dhe jo automjeti, i cili është gjobitur. Kjo po pamundëson regjistrimin e të gjitha mjeteve të tjera që nuk kanë asnjë detyrim të papaguar.
“DhTIK u bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të reflektojnë dhe të angazhohen në zgjidhjen e kësaj bllokade”, vazhdon komunikata.