Donis Avdijaj mbetet në Austri, afër marrëveshja me klubin e ri

Mediat austriake kanë raportuar se futbollisti Donis Avdijaj, së shpejti mund të ndryshojë skuadër, por jo edhe ligën ku ai luan.
Avdijaj pritet të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me ekipin Wolfsberger AC, derisa ende nuk bëhen të ditura detajet e kësaj kontrate.
Interesimin për 28-vjeçarin, e ka konfirmuar edhe trajneri i Wolfsberger, Dietmar Kuhbauer.
Ai pranoi se e ka ndjekur aktivisht futbollistin me prejardhje nga Kosova.
Mesfushori ofensiv do të bashkohet si transfer i lirë nga skuadra e tij aktuale, TSV Hartberg, pas përfundimit të kontratës.
Ai në 103 paraqitjet e tij zyrtare, shënoi 35 gola dhe bëri 27 asistime.
Donis Avdijaj, fillimisht kishte pasur kontakte edhe me ish-skuadrën e tij, Schalke 04.
Avdijaj pritet të veshë fanellën me numrin 10 te skuadra e re.