75 Mall Live Search
14:55 / E Hënë, 30 Qershor 2025 / k.v

Tre policët e arrestuar në Klinë, IPK dhe Prokuroria nisin hetimet (Video)

Prokuroria Themelore në Pejë në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), pas grumbullimit dhe analizimit të provave, kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë të cilët dyshohen për tejkalim të autorizimeve zyrtare dhe keqtrajtim fizik të një qytetari gjatë arrestimit të tij.

Sipas njoftimit zyrtar, dyshohet se zyrtarët policorë kanë keqtrajtuar fizikisht qytetarin edhe pse ky i fundit ka qenë i prangosur në momentin e incidentit.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tre zyrtarëve policorë është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

IndeksOnline ka siguruar video ekskluzive të sulmit të policisë ndaj qytetarit.

IPK ka bërë të ditur se hetuesit e saj, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, do të ndërmarrin veprime të tjera hetimore në drejtim të zbardhjes së plotë të rrethanave që ndërlidhen me rastin.

Sipas komunikatës paraprake të IPK-së, incidenti dyshohet se ka ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së qytetarit që u arrestua.

Nga hetimi fillestar është konstatuar se zyrtarët policorë kanë përdorur forcë të tepruar dhe kanë paraqitur një version të ngjarjes në raportet zyrtare që bie ndesh me pamjet filmike dhe provat e siguruara.

Për këtë arsye, më 29 qershor, IPK kishte rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast, duke u bazuar në kompetencat e saj ligjore.

Hetimet pritet të vazhdojnë në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente deri në ndriçimin e plotë të rastit./IndeksOnline/