75 Mall Live Search
23:45 / E Martë, 01 Korrik 2025 / Burim

Tentativa e dytë e Osmanit për dalje nga ngërçi, nesër takim ‘kokë me kokë’ me liderët e partive politike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të tentojë për herë të dytë të ndikojë në zhbllokimin e ngërçit politik në të cilin ka hyrë vendi pas dështimve për konstituim të Kuvendit.

Ajo ka ftuar në takim liderët e partive politike në përpjekje për të gjetur një rrugdalje nga bllokada që po vazhdon tash e disa muaj.

E para e vendit ka planifikuar dy ditë takime me liderët e partive politike në vend.

Ditën e parë takimet i ka rezervuar për partitë politikë shqitare, ndërsa të enjten, Osmani i pret në takim liderët e partive nga minoritetet.

Të gjithë liderët e partive politike i janë përgjigjur pozitivisht takimit të thirrur nga presidentja Osmani, raporton IndeksOnline.

Ndryshe nga hera e parë, këtë herë Osmani do t’i takojë ‘veç e veç’ liderët e partive.

Takimet janë planifikuar të nisin ditën e mërkurë në ora 10:00 dhe do të përfundojnë në ora 16:00, për të vazhduar edhe ditën e enjte.

Të parin në takim do ta pres kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të vazhduar pastaj me Memlin Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.

Partitë politike ende nuk po arrijnë pajtim për konstituimin e Kuvendit, edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që obligon përfundimin e këtij procesi brenda 30 ditësh.

Kushtetuesja vendosi të enjten se seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së largu për 30 ditë.

Megjithatë, partitë kanë dhënë interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi dhe as takimi i kryetarit të VV-së, Albin Kurti, me liderët e partive të tjera të shtunën nuk solli ndonjë rezultat. /IndeksOnline/