75 Mall Live Search
16:04 / E Enjte, 04 Qershor 2026 / Z S

Gjini: Siguria energjetike është siguri kombëtare

Siguria energjetike është siguri kombëtare.

Kështu është shprehur kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini përmes një statusi në rrjetin social në Facebook.

Më tutje Gjini thotë se Aleanca e ka ditur që nga dita e parë se projekti i Gazit Amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë.

Reagimi i plotë:

Ajo që u konfirmua zyrtarisht nga u.d. Ambasadorja amerikane, Annu Prattipati, nuk është thjesht një statistikë e frikshme, është dëshmia e gjallë e një krimi ekonomik dhe gjeostategjik kundër Republikës së Kosovës. Kosova ka djegur plot 735 milionë euro të taksapaguesve në import të rrymës vetëm katër vitet e fundit, duke u rritur nga 142 milionë në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.

Aleanca e ka ditur që nga dita e parë se projekti i Gazit Amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë. Ne e kishim jetësuar dhe projektuar këtë si projektin më të madh të shekullit. Por, paranoja ideologjike dhe vendimi skandaloz i qeverisë në ikje, në vitin 2021 për ta bllokuar këtë projekt strategjik, e la Kosovën në errësirë, të izoluar dhe të varur tërësisht nga vendet e rajonit.

Në takimin tim të para dy ditëve me u.d. Ambasadoren Prattipati, ia bëra të qartë pozicionin tonë: Qëndrimi i Aleancës për Gazin Amerikan mbetet i palëkundur. Ky projekt është shtylla kryesore e planit tonë qeverisës, njëjtë siç kishte qenë edhe atëherë kur e kishim sjellë në Kosovë, falë miqve tanë ndërkombëtare.

Kur të tjerët eksperimentonin me fatin e Kosovës dhe refuzonin mbi 200 milionë dollarë grante falas nga MCC-ja amerikane, ne paralajmëronim për këtë krizë që po jetojmë sot. Sot faturat e larta të rrymës po i paguajnë familjet dhe bizneset kosovare sepse qeveria në ikje dëboi investimet dhe teknologjinë amerikane për llogari të politikave izoluese.

Plani ynë parashesh zhbllokim të menjëhershëm të projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë. Do t’i bashkohemi menjëherë projekteve të gazit natyror nëpër Ballkan për të siguruar pavarësinë tonë energjetike.

Siguria energjetike është siguri kombëtare.

Epoka e mashtrimit dhe izolimit përfundon më 7 qershor.

Kosova do t’i kthehet zhvillimit dhe aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!/Indeksonline/