Demarkacioni dhe FSK-ja temat e sotme në darkë (Foto)
Tashmë ka përfunduar darka e zyrtarëve të lartë nga Qeveria, të cilët ishin mbledhur në një takim të përbashkët me Presidentin e vendit si dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
Nikoqir i kësaj darke këtë herë ishte zv/kryeministri i parë, Behgjet Pacolli. Madje takimi në fjalë u mbajt pikërisht në rezidencën e Pacollit në Hajvali.
Edhe pse këshilltari i kryeministrit, Ramush Haradinaj, Avni Arifi ka thënë për Indeksonline se takimi ishte pa kravate dhe nuk u diskutua për demarkacionin, burime të Indeksonline bëjnë të ditur të kundërtën.
Pikërisht sonte në këtë takim u diskutuan: Demarkacioni dhe shndërrimi i FSK-së në FAK.
Madje gjatë këtij takimi është arritur pajtueshmëri që nëse Mali i Zi dhe Kosova nënshkruajnë një deklaratë që si shtete fqinje që kanë aspirata evropiane nuk do të pengojnë rrugën e njëra-tjetrës dhe se nëse në një afat kohorë mund të ketë fakte të reja, marrëveshja për Demarkacion të rinegociohet.
Pra nëse Mali i Zi pranon të nënshkruajë një deklaratë me përmbajtje të ngjashme, Demarkacioni do të votohet.
Ndërsa gjatë mbrëmjes së sotme udhëheqësit e vendit janë dakorduar që pas Demarkacionit, të gjitha forcat të orientohen në Formimin e Ushtrisë.
Duhet shtuar se gjatë ditës së nesërme Demarkacioni do të shqyrtohet në Kryesinë e Kuvendit që më pas të procedohet për votim në Kuvendin e Kosovës./Indeksonline/