Incidenti në “Muharrem Fejza”/ Tre policë të suspenduar, dyshohen për rrahjen e një të riu

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka lëshuar një komunikatë për media lidhur me një incident të rëndë që dyshohet të ketë ndodhur më 30 qershor 2025, rreth mesnatës, në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë. Ngjarja në fjalë është raportuar fillimisht nga portali IndeksOnline, ku thuhej se një i ri, G.Hyseni, ishte ndjekur dhe rrahur brutalisht nga persona që dyshohet se janë policë civilë.
Sipas IPK-së, në interes të hetimit është rekomanduar suspendimi i tre zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast. Hetimet janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në procedurë të rregullt, për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Ngjarja e rëndë, sipas dëshmisë së babait të të riut të lënduar, ka ndodhur pasi djali i tij kishte tejkaluar një veturë policore me motoçikletë. Ai pretendon se tre persona në veturën zyrtare kanë ndjekur djalin, e kanë përplasur me veturë, ia kanë lidhur duart dhe më pas e kanë rrahur deri në alivanosje.
“Djali më ka thirrur në gjendje të rëndë. E çuam në QKUK, ku mjekët konstatuan se kishte shtypje të eshtrave. Ia kanë marrë edhe portofolin me 300 euro. Askush nuk dinte t’i jepte sqarime se cilit stacion i përkiste vetura”, kishte thënë Hyseni për IndeksOnline.
IPK bën të ditur se në koordinim me prokurorinë, priten edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti./IndeksOnline/