75 Mall Live Search
14:03 / E Enjte, 24 Korrik 2025 / LB

Krasniqi thotë se deputeti i VV-së, Valon Hoti gaboi kur tha se Limaj s’do të votohet për kryeparlamentar

Deputetja e betuar nga Nisma, Arbëreshë Krasniqi, i ka quajtur të ngutura dhe gabim deklaratat e deputetit të LVV-së, Valon Hoti që ka thënë se Fatmir Limaj nuk do t’i ketë votat e LVV-së për kryeparlamentar.

Deputetja Krasniqi tha se kolegu i saj Hoti është vetëm një deputet dhe se diskutimet po bëhen mes liderëve.

“Ai është njëri prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mendimi im është që ka gabuar me një deklaratë të tillë, sepse diskutimet janë në mes të liderëve dhe ata janë në negociata për t’i sjellë marrëveshje kësaj situate”, ka thënë Krasniqi.

Sipas saj, në situatën në të cilën gjendet vendi, LVV-ja nuk mund të ketë as kryeparlamentarin e, rrjedhimisht, as kryeministrin.

“Sigurisht për mua dhe për mendimin tim, edhe i ngutshëm edhe i gabuar sepse nuk mundet Lëvizja Vetëvendosje, në këtë situatë që është krijuar në Kosovë, që ta ketë as kryeparlamentarin e rrjedhimisht nuk mund ta ketë as kryeministrin”, është shprehur deputetja e Nismës, Arbëreshë Krasniqi.