Barcelona e ‘pauzon’ marrëveshjen për 26-vjeçarin shkaku i problemeve financiare

Barcelona ka qenë aktive këtë verë dhe, ndonëse kanë realizuar dy afrime – Joan Garcia dhe Marcus Rashford – prioriteti kryesor mbetet largimi i lojtarëve që nuk janë më në planet e klubit. Njëri prej tyre është Inaki Peña, por largimi i tij është shtyrë për momentin.
Me ardhjen e Joan Garcia-s dhe me Marc-André ter Stegen që ka shprehur dëshirën për të qëndruar, Peña nuk ka më të ardhme në “Camp Nou”. Me kontratën e tij që skadon në vitin 2026, ideja e Barcelonës është ta shesë gjatë kësaj vere për të përfituar financiarisht – diçka e domosdoshme për shkak të problemeve ekonomike të klubit.
Megjithatë, aktualisht Barcelona nuk është në gjendje ta shesë Peña-n. Për këtë arsye, ai është përfshirë në skuadrën e Hansi Flick për turneun përgatitor në Japoni dhe Korenë e Jugut. Sipas “Mundo Deportivo”, 26-vjeçari është i vetmi portier i regjistruar në La Liga në këtë moment, pasi Ter Stegen pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Barcelona ende nuk ka arritur të regjistrojë blerjen e re Joan Garcia dhe as Wojciech Szczesny-n, pasi regjistrimi i këtij të fundit skadoi me përfundimin e kontratës më 30 qershor – edhe pse ai nënshkroi një kontratë të re pak javë më vonë. Nëse situata mbetet e tillë deri në ndeshjen e parë të sezonit ndaj Mallorcas, atëherë Peña do të detyrohet të luajë si titullar.
Gjithsesi, Barcelona është optimiste që të paktën njëri nga Garcia apo Szczesny do të regjistrohet në kohë për javën e parë të sezonit, që zhvillohet përbrenda tre javësh. Pasi të ndodhë kjo, Peña do të marrë dritën jeshile për t’u larguar – gjë që pritet të realizohet pa shumë komplikime, pasi edhe vetë lojtari dëshiron të largohet këtë verë për të luajtur si titullar diku tjetër.