Vazhdon zbatimi i ligjit në trafik/ Dhjetëra kundërvajtës ndëshkohen falë bashkëpunimit me qytetarët

Policia e Kosovës, përmes Njësisë rajonale të trafikut rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, ka vazhduar me zbatimin rigoroz të ligjit në komunikacion, duke marrë masa konkrete ndaj shkelësve të rregullave të trafikut.
Gjatë javës së kaluar, falë denoncimeve dhe postimeve të qytetarëve në rrjetet sociale, janë shqiptuar dhjetëra masa administrative për kundërvajtje, të cilat janë mbështetur me dëshmi të dokumentuara.
Masat e marra përfshijnë: Konfiskimin e patentëshoferëve të Kosovës, ndalimin e përdorimit të patentëshoferëve të huaj në territorin e Republikës së Kosovës dhe gjoba në vlera të ndryshme, në përputhje me shkeljet e konstatuara.
Policia e Kosovës vlerëson lart bashkëpunimin e qytetarëve, të cilët përmes denoncimeve kanë ndihmuar në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve dhe i inkurajon të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të shmangin sjelljet e rrezikshme apo të paligjshme.
Zbatimi i ligjit në trafik do të vazhdojë me intensitet, me qëllim parandalimin e aksidenteve, rritjen e sigurisë rrugore dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës./IndeksOnline/