Gerta “trishtohet” në Venecie

Një vizitë në Venecie ka rezultuar zhgënjyese për Gerta Gixharin, e cila ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një përshkrim emocional dhe kritik për gjendjen aktuale të qytetit.
“Venecia është kthyer një vend për të ardhur keq. Paska përfunduar në dorë të njerëzve të botës së tretë”, shkruan ajo në një video me pamje nga kanalet e qytetit.
“A ka ende italianë në Venecie?” – pyet më tej, duke shtuar se ndjeu dëshirën të largohej “një orë e më parë” për shkak të humbjes së identitetit, sipas saj, që ndjehej “në rrugë, në dyqane, në restorante, kudo”.
Në një tjetër postim, Gerta tregon se kishte kërkuar tartuf në një restorant, por sipas saj, “kamarierët nga Bangladeshi nuk e dinin çfarë ishte”.
Ajo vijon më tej me një koment: “Venecianët e paskan marrë në dorë bangladeshianët”.
Pavarësisht ndjesive personale të një vizitoreje, ky lloj komunikimi ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si trajtohet diversiteti dhe prezenca e punëtorëve emigrantë në qytete turistike.
Turizmi global e ka transformuar thellësisht fytyrën e qyteteve ikonike – por nëse një qytet ka “humbur identitetin”, a janë vërtet fajtorë punëtorët që shërbejnë në restorante, apo politika turistike dhe modeli ekonomik që i ka shtyrë vendasit të largohen?
Një reflektim më i thellë ndoshta do t’i bënte nder edhe qytetit edhe vizitorëve të tij.
