Vendimi i plotë i gjykatës për logopedin nga Podujeva, i cili keqtrajtoi 4-vjeçaren me aftësi të veçanta! (Dokument)

Logopedi nga Podujeva dënohet me 1 vit burgim me kusht për keqtrajtim të vajzës 4-vjeçare me aftësi të kufizuara.
Logopedi Besart Sokoli është dënuar me një vit burgim me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Podujevë, nën akuzën për keqtrajtim dhe sulm fizik ndaj një vajze 4-vjeçare me aftësi të kufizuara.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga IndeksOnline, Sokoli është shpallur fajtor për ushtrim dhune ndaj viktimës E.S. në ordinancën ku punonte si logoped, ngjarje që ndodhi më 30 qershor 2023.

Nëna e vajzës, Luljeta Sadiku, dëshmoi në gjykatë se në ditën kritike kishte dërguar vajzën për trajtim logopedik në ordinancën “Logo-medicus” në Podujevë. Sipas saj, vetëm pak minuta pas hyrjes, kishte dëgjuar të qarat e vajzës dhe, pasi hyri në dhomë, e gjeti atë të shqetësuar dhe duke qarë.

Sadiku deklaroi se Sokoli i kishte thënë të largohej nga dhoma dhe të mos ndërhynte, ndërsa më pas ajo vuri re se vajza ishte keqtrajtuar dhe i ishin tërhequr flokët. Si rezultat, ajo kishte denoncuar rastin në polici dhe kishte kërkuar ndihmë mjekësore.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjykata mori në konsideratë një sërë provash, përfshirë:
Raportin mjekësor të datës 12.08.2023, i cili evidenton lëndime të tërheqjes së flokëve dhe shenja të stresit te vajza.

Deklaratat e nënës dhe të babait të vajzës, Ramiz Sadiku.
Incizime audio të bisedave mes prindërve të vajzës dhe të pandehurit.
Video incizime nga hyrja-dalja e vajzës në ordinancën “Logo-medicus”.

Raporti i Inspektoratit Shëndetësor, si edhe dëshmitë e dëshmitarëve të propozuar nga të dyja palët.

Gjykata vlerësoi se pretendimi i mbrojtjes për të pavlefshmërinë e provës audio nuk qëndronte, duke theksuar se incizimi ishte bërë nga prindi i viktimës dhe për qëllime të qarta të sigurisë së fëmijës.

Në aktgjykim thuhet: “Bazuar në faktet dhe provat e administruara në shqyrtim gjyqësor, gjykata ka konkluduar se i pandehuri, me dashje, ka kryer veprën penale të sulmit dhe keqtrajtimit. Manifestohen të gjitha elementet subjektive dhe objektive të figurës së veprës penale ‘Sulmi’, sipas nenit 184, par. 3, nënpar. 3.1 të KPRK-së.”

Më tej, gjykata theksoi se nuk ekzistonin rrethana që do të përjashtonin përgjegjësinë penale të të pandehurit.

Besart Sokoli, në fjalën përfundimtare, deklaroi se ishte i pafajshëm dhe se kishte vepruar vetëm në kuadër të profesionit të tij si logoped, duke mohuar çdo keqtrajtim fizik ndaj fëmijës. Ai kërkoi lirimin nga akuza.

Gjykata e shpalli fajtor Sokolin dhe vendosi dënimin me një vit burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale brenda një periudhe prove të caktuar nga gjykata./IndeksOnline/
