75 Mall Live Search
14:13 / E Shtunë, 16 Gusht 2025 / MSH

24 orë, tre të vdekur nga aksidentet rrugore në Kosovë

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të ndara trafiku në Pejë, Malishevë dhe Gjilan, të ndodhura në harkun kohor prej 24 orësh.

Mëngjesin e 15 gushtit, rreth orës 09:35, në rrugën “Adrian Krasniqi” në Pejë, një person me aftësi të kufizuara, i cili po lëvizte me karrocë, është goditur nga një kamion që drejtohej nga një mashkull kosovar.

Sipas policisë, dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së drejtuesit të kamionit. Viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi.

Po më 15 gusht, në orën 13:39, në rrugën “Adem Jashari” në Malishevë, ka ndodhur një aksident mes dy veturave me targa lokale. Si pasojë e përplasjes, një grua ka ndërruar jetë, ndërsa gjashtë persona të tjerë (pesë femra dhe një mashkull) kanë pësuar lëndime trupore. Viktimat janë trajtuar nga ekipet mjekësore, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi me urdhër të prokurorit.

Ndërkohë, në fshatin Lladovë të Gjilanit, më 14 gusht në orën 15:40, një këmbësor mashkull kosovar është goditur nga një veturë që drejtohej nga një femër. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë pakujdesia e shoferes. Viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, por më 15 gusht ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve. Edhe ky rast është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.